"Rruga e rrezikut!" (Video)
Ende pa i mbushur dy vite nga lëshimi zyrtar për qarkullim i rrugës Tërnoc-Breznicë, me një gjatësi prej rreth 6 kilometrash, ajo vazhdon të paraqesë rrezik seriozë për kalimtarët.
Shembja e shkëmbinjve, dheut dhe së fundi edhe e pjesëve të rrugës, është kërcënim serioz për qytetarët që shfrytëzojnë këtë aks rrugor.
Pamjet e regjistruara të hënën nga portali informativ Titulli.com, tregojnë se kësaj rruge gjarpërore, në pjesën me lartësi më të madhe, i mungon asfalti i shembur me trasen, sidomos gjatë reshjeve të shiut.
Edhe pse përgjegjësit kanë vendosur sinjalistikën për rrezikun që kanoset, diçka konkrete për ta kthyer ate në gjendjen e mëparshme, nuk është bërë.
Rruga, e pagëzuar me emrin “Rruga e Kombit”, tani mund të quhet “Rruga e rrezikut” , pasi në pjesën më të rrezikshme të saj është i dëmtuar dhe mban sinjalistikën vertikale “Rrezik, 3 kilometra”.
Për të mos mjaftuar dëmet e rrugës, ato pak mbrojtëse metalike kanë filluar të shemben së bashku me dheun, madje në kthesat më të rrezikshme projektuesit nuk kanë paraparë vendosjen e tyre.
Në disa pjesë të rrugës Tërnoc-Breznicë, shumë afër kthesave, ngasësit e veturave janë të detyruar që veturën ta ngasin vetëm në një korsi, pasi njëra është shembur në lumë, duke i mbetur një gjerësi e rrugës deri në tre metra për të ngarë makinën.
Vet qytetarët që shfrytëzojnë këtë rrugë për të udhëtuar në Malësinë e Bujanocit, respektivisht drejt Kosovës dhe anasjelltas, kanë paraqitur shqetësimin, pasi rruga në fjalë është aq e rrezikshme, sa që në mot me shi, si dhe në mbrëmje, nuk preferohet të kalohet nga frika se shumë lehtë mund të bihet disa metra poshtë, në humnerë.
Rruga Tërnoc – Breznicë, zyrtarisht u lëshua për qarkullim më 25 nëntor të vitit 2013, ndërsa për ndërtimin e kësaj rruge janë harxhuar mbi 100 milionë dinarë./Titulli.com/